Alarmi i rënies së numrit të popullsisë në Shqipëri, OBK projekton 2.2 mln banorë në 2050
Projeksionet e OKB paralajmërojnë tkurrje të fortë demografike në Shqipëri dhe në gjithë Ballkanin Perëndimor.
Të dhënat më të fundit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara tregojnë se Shqipëria po përballet me një rënie të ndjeshme të popullsisë, një trend që pritet të thellohet në dekadat në vijim. Sipas projeksioneve të publikuara në raportin “World Population Prospects 2024”, vendi mund të zbresë nga rreth 2.8 milionë banorë në vitin 2025 në vetëm 2.2 milionë në vitin 2050.
Kjo përfaqëson një tkurrje prej rreth 19.2 për qind krahasuar me vitin 2020, duke e vendosur Shqipërinë mes vendeve më të prekura nga rënia demografike në Europë.
Ballkani në tkurrje të vazhdueshme
E njëjta prirje negative vërehet në të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor. Serbia pritet të humbasë rreth 1.2 milionë banorë deri në vitin 2050, duke zbritur në 5.5 milionë, ndërsa Bosnja dhe Hercegovina projektohet të tkurret me rreth 21.8 për qind të popullsisë së saj.
Kroacia parashikohet të humbasë rreth 614 mijë banorë, ndërsa Maqedonia e Veriut rreth 301 mijë. Këto zhvillime konfirmojnë një trend të përbashkët në rajon, të nxitur kryesisht nga emigracioni i lartë, normat e ulëta të lindshmërisë dhe plakja e popullsisë.
Botë në rritje, Evropë në rënie
Në kontrast me Ballkanin dhe Evropën, popullsia globale pritet të rritet me rreth 1.4 miliardë njerëz deri në vitin 2050. Megjithatë, kjo rritje do të përqendrohet kryesisht në disa rajone të kufizuara.
Afrika Sub-Sahariane pritet të jetë motori kryesor i rritjes demografike, me vende si Republika Demokratike e Kongos që mund të dyfishojnë pothuajse popullsinë. Edhe Nigeri, Angola dhe Somalia pritet të shënojnë rritje të shpejtë për shkak të niveleve të larta të lindshmërisë.
Nga ana tjetër, ekonomitë e mëdha si Kina, Japonia, Italia dhe Rusia po hyjnë në një fazë tkurrjeje të qëndrueshme të popullsisë, e lidhur me lindshmërinë e ulët dhe plakjen e shpejtë.
Pasoja për ekonominë dhe tregun e punës
Rënia e popullsisë pritet të ketë ndikime të forta në ekonominë shqiptare, duke reduktuar fuqinë punëtore dhe duke rritur presionin mbi sistemet sociale dhe pensionet. Njëkohësisht, ajo mund të kufizojë potencialin e rritjes ekonomike në afatgjatë.
Për Shqipërinë dhe vendet e rajonit, sfida demografike po kthehet në një nga çështjet më kritike të dekadave të ardhshme, duke kërkuar politika të reja për frenimin e emigracionit dhe nxitjen e lindshmërisë.